Prishtinë, 31 korrik 2018 –Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka marrë pjesë në evenimentin e publikimit të përmbledhjes së vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut, i cili u mbajt sot në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.
Me këtë rast, kryetari Peci, ka mbajtur një fjalim para të pranishmëve, duke e cilësuar shumë të rëndësishëm publikimin e përmbledhjes së vendimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në fushën e të drejtave pronësore, në gjuhën shqipe dhe në atë serbe.
“Standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si mekanizma universal dhe unifikues kanë rëndësi të veçantë për shtetet, në veçanti për vendet në tranzicion, ku shpesh garantimi i të drejtave dhe lirive të njeriut mbetet sfidues. Kosova në këtë rast, është zotuar me Kushtetutë për aplikimin e këtyre standardeve të rëndësishme ndërkombëtare, që ndër të tjera derivojnë nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Lirive fundamentale. Aplikueshmëria efektive e këtyre praktikave lidhet ngushtë me ngritjen e kapaciteteve profesionale të gjyqësorit dhe ligjvënësve për t’ju referuar këtyre praktikave, por edhe me mundësinë për t’ju referuar këtyre vendimeve në gjuhët përkatëse”, u shpreh kreu i Supremes. Tutje, kryetari Peci, potencoi përkushtimin e tij për të zhvilluar në mënyrë efektive unifikimin e praktikave gjyqësore. “Bashkërisht me Programin e USAID-it për të Drejtat Pronësore, ne jemi duke zhvilluar një përmbledhje të vendimeve të Gjykatës Supreme në fushën e të drejtave pronësore, me qëllim të unifikimit të praktikës gjyqësore në Kosovë”. Për këtë iniciativë, ai falënderoi USAID-in dhe Programin për të Drejtat Pronësore duke shprehur mirënjohjen për përmbledhjen e publikuar dhe përmbledhjen që po përgatitet, e cila do të shërbejnë si një udhërrëfyes efektiv për gjyqësorin dhe ligjvënësit, por edhe për publikun e gjerë që janë të angazhuar në zbatimin dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në Kosovë.
Para të pranishmëve, me fjalë rasti është paraqitur edhe ushtruesi i detyrës së zv. drejtorit të misionit të USAID-it Brian Martalus, i cili theksoi se Kushtetuta e Kosovës, që feston 10 vjetorin e saj, është moderne dhe përparimtare dhe simbolizon vlerat e vendit. “Kushtetuta e juaj i detyron gjykatësit që t’i referohen kësaj Gjykate (GJNDNj). E drejta e individëve për të poseduar dhe shfrytëzuar pronën është një nga të drejtat themelore dhe jemi të lumtur që mund t’ju japim lajmin se 144 vendime apo përmbledhje të tyre janë përkthyer në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Gjykata Kushtetuese është i vetmi institucion që i shfrytëzon vendimet e kësaj Gjykate, mirëpo tani me këto përkthime, të gjitha gjykatat dhe palët e interesuara, do të kenë mundësi t’i aplikojnë, me theks të veçantë në të drejtën pronësore, gjë që do të krijojë një mjedis më të përshtatshëm. Kjo do të shpie në një shoqëri më demokratike”, u shpreh zëvendësdrejtori i USAID-it.
Përmbledhja e 144 vendimeve kyçe të GJEDNj-së në fushën e të drejtave pronësore është publikuar për herë të parë në gjuhën shqipe dhe në atë serbe si për gjykatat ashtu edhe për institucionet tjera relevante në Kosovë.