Prishtinë, 15 shkurt 2018 – Të enjten, është mbajtur seanca e parë e përgjithshme e Gjykatës Supreme, për vitin 2018, e udhëhequr nga kryetari Enver Peci, në të cilën morën pjesë, përveç gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, edhe gjyqtarët nga EULEX-i, ata nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme dhe nga Kolegji i Apelit, i Gjykatës Supreme.
Gjatë kësaj seance është shqyrtuar Raporti i Punës, i vitit 2017, me ç’rast kryetari ka prezantuar para të pranishmëve statistikat lidhur me lëndët e Gjykatës Supreme, duke specifikuar se është bërë një punë efikase përkundër sfidave që e kanë përcjell gjykatën në vitin që shkoi.
Caktimi i orarit vjetor të punës për vitin 2018, ka qenë një pikë tjetër e rendit të ditës, ndërkaq, një diskutim më i gjatë është bërë gjatë shqyrtimit të Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore në Kosovë, i cili është përgatitur nga ekspertë vendorë me mbështetjen e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe të Departamentit Amerikan të Shtetit. Gjyqtarët diskutuan rreth emërtimit të këtij doracaku dhe kompetencës së gjykatës për ta miratuar si produkt të saj. Shumica e gjyqtarëve ranë dakord se ky udhëzues është shumë i nevojshëm, sidomos për gjyqtarët e rinj, dhe Gjykata Supreme si institucion që unifikon praktikën gjyqësore, ka kompetencë ta miratojë këtë dokument.
Gjatë diskutimit, kreu i Supremes, bëri me dije se përmes këtij doracaku do të bëhet përpjekje që të qartësohen dispozitat e Kodit Penal rreth matjes së dënimit dhe kështu të unifikohet politika ndëshkimore në Kosovë, pasi në praktikë janë vërejtur shqiptime të dënimeve të ndryshme për raste të ngjashme.
Ky udhëzues u miratua me shumicë votash nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe pritet të jetë mjet punues, jo-obligativ për gjyqtarë dhe për prokurorë.