Prishtinë, 06 shkurt 2018 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, sot ka pritur një delegacion nga Turqia, të kryesuar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Bilal Uçar.
Uçar, shprehu interesimin e vendit të tij për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve, në fushën e drejtësisë, duke theksuar njëkohësisht gatishmërinë e Turqisë për të mbështetur Kosovën në këtë aspekt.
Në anën tjetër, edhe kreu i Supremes, u zotua se bashkëpunimi dhe respektimi i ndërsjellët do të vazhdojë gjithmonë dhe se Kosova i është mirënjohëse Turqisë për ndihmën që ka dhënë në vazhdimësi në forcimin e institucioneve shtetërore, posaçërisht të pushtetit gjyqësor.
Po ashtu, kryetari Peci, i njoftoi të pranishmit me kompetencat e Gjykatës Supreme, me punën që aktualisht është duke u bërë dhe me problemet nëpër të cilat po kalon sistemi gjyqësor aktualisht.
“Si gjykatë jemi shumë efektiv. Jemi duke i trajtuar lëndët e pranuara në fund të vitit 2017. Kemi vetëm edhe rreth 250 raste të papërfunduara. Por, gjyqësori në përgjithësi, ka probleme. Sidomos Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila ka numër të madh të lëndëve të pazgjidhura”, sqaroi kryetari, duke bërë me dije se po bëhen përpjekje për të shtuar numrin e gjyqtarëve. Sipas tij, Kosova po i vuan ende pasojat e të kaluarës. “Historikisht, Kosova ka kaluar në rrugë të vështira. Gjyqësori nuk ekziston vetëm prej përfundimit të luftës. Kemi një gjyqësor që ka ekzistuar edhe në ish-Jugosllavi. Doktrina juridike nuk ndryshon shumë, porse, kemi pasur një luftë shkatërruese, e cila prej viteve të ’90-ta deri në vitet 2000 e ka paralizuar situatën, ndaj në njëfarë aspekti, pasojat po i vuajmë ende”. Në këtë drejtim, i pari i pushtetit gjyqësor, u shpreh mirënjohës për kontributin e Turqisë në çlirimin e Kosovës dhe tutje në forcimin e saj si shtet.
Të dy palët u dakorduan që të rrisin bashkëpunimin dhe të shkëmbejnë përvojat në fushën e drejtësisë duke ndihmuar kështu në forcimin e sundimit të rendit dhe ligjit.