Kryetarët e gjykatave diskutojnë për problemet dhe sfidat në gjyqësor

Kryetarët e gjykatave diskutojnë për problemet dhe sfidat në gjyqësor

Prishtinë 24 nëntor 2017 – Të premten, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka pritur në një takim të përbashkët, kryesuesin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, kryetarin e Gjykatës së Apelit, Hasan Shala si dhe kryetarët e gjykatave themelore në vend, kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, ai i Gjykatës Themelore në Gjakovë, Vaton Durguti, kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, Kreshnik Radoniqi, kryetari i Gjykatës Themelore në Ferizaj, Bashkim Hyseni, kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, gjyqtari i Gjykatës Themelore në Gjilan, Agim Ademi dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Afrim Hoti.

Gjatë këtij takimi, kryetarët e gjykatave shpalosën shqetësimet e tyre lidhur me efikasitetin e gjykatave, duke identifikuar probleme pothuajse të ngjashme në secilën gjykatë, por po ashtu, bënë me dije se ka rritje të efikasitetit në zgjidhjen e çështjeve

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_6780.JPG

Numri i vogël i gjyqtarëve, numri i madh i lëndëve në divizionet e kundërvajtjes, pengesat në Kodin e Procedurës Penale dhe problemet e ndryshme teknike ishin disa nga çështjet që u ngritën në diskutim. 

Kryetarët diskutuan edhe për lëndët e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si lëndë me prioritet në gjykata si dhe për kërkesat për mendime juridike që në Gjykatë Supreme vijnë nga gjykatat themelore apo nga ajo e Apelit.

Kreu i Supremes, Enver Peci i njoftoi kryetarët edhe me konkluzionet që dolën nga seanca e përgjithshme e mbajtur një ditë më parë, sa i përket afatit shtesë për propozime lidhur me Projektligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, për Projektligjin për Gjykatat dhe Projektligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve.

Edhe kryetarët e gjykatave theksuan një varg çështjesh që tek këto draft-ligje duhet të rishqyrtohen, ndaj, të gjithë ranë dakord që në një afat të arsyeshëm kohor të përmbledhin komentet dhe vërejtjet eventuale, të cilat më pas do t’i adresohen grupit punues në Ministri të Drejtësisë.