Prishtinë 30 tetor 2017 – Në shënim të “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, e organizuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka mbajtur një fjalim me ç’rast theksoi rëndësinë e jashtëzakonshme që ka ofrimi i ndihmës adekuate – juridike për viktimat e krimit.
“Për një luftë efikase kundër kriminalitetit, përveç dënimit të kryesit është e domosdoshme që edhe viktimës t’i ofrohet ndihmë adekuate juridike dhe kompensim adekuat material”, u shpreh ai, para të pranishmëve.
Sipas kreut të Supremes, trajtimi dhe mbrojtja e viktimave të krimit është pjesa më e rëndësishme e procedurës penale. Ai theksoi nevojën e rritjes së efikasitetit në mbrojtje të këtyre viktimave, pavarësisht faktit, se Kosova ka avancuar në legjislacionin përkatës. “Ka nevojë për ngritjen e efikasitetit dhe profesionalizimin e zyrtarëve të zbatimit të ligjit në të gjitha institucionet. Konsideroj se deri tani, në fokus kanë qenë viktimat e dhunës në familje, pastaj ato të dhunës seksuale që ndërlidhen me veprën penale trafikim i qenieve njerëzore, por konsideroj se secilës viktimë, varësisht prej veprës së kryer penale, i nevojitet trajtim i kujdesshëm dhe respektim me përpikëri i të drejtave ligjore”.
Tutje, kryetari Peci, bëri me dije se Gjykata Supreme, në kuadër të kompetencave të saja, do të kontribuojë në mbrojtje të këtyre viktimave, përmes unifikimit të praktikës gjyqësore, duke sqaruar po ashtu, se me ndihmën e Ambasadës Amerikane, është duke u përpiluar manuali për politikën ndëshkimore, i cili do të jetë një ndihmë e drejtpërdrejt për gjyqtarët
Ndërkaq, gjyqtarja e Gjykatës Supreme Nesrin Lushta, në cilësinë e kryetares së Komisionit për Kompensim të Viktimave, prezantoi para të pranishmëve, rolin dhe kompetencat e këtij komisioni, duke treguar se Ligji për Kompensimin e Viktimave të Krimit ka hyrë në fuqi më 28 maj 2015, dhe në bazë të këtij ligji, i dëmtuari mund ta realizojë kompensimin nga shteti.