Hagë, 16 qershor 2017 – Nën udhëheqjen e Komitetit Holandez të Helsinkit, Universitetit Leiden dhe Akademisë së Hagës për Qeverisje vendore, në Hagë është mbajtur trajnimi dhjetë ditor me temën “Administrimi i drejtësisë”, në të cilin ka marrë pjesë gjyqtarja e Gjykatës Supreme të Kosovës, Nesrin Lushta.
Ky program trajnimi ka përfshirë 28 gjyqtarë, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, si Kosova, Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, si dhe gjyqtarë nga Gjeorgjia, Moldavia dhe Ukraina.
Ky trajnim kishte për qëllim forcimin e kapaciteteve institucionale në fushën e sundimit të ligjit, në vendet prej nga vinin gjyqtarët. Nëpërmjet sesioneve interaktive janë kombinuar teoria, aftësitë praktike dhe vizitat studimore, në atë mënyrë që përfaqësuesit e gjyqësorit të fitojnë njohuri dhe aftësi të nevojshme për të nxitur reformat në vendet e tyre. Përveç kësaj, ky program trajnimi, u ka mundësuar pjesëmarrësve që të bëhen pjesë e një rrjeti të gjerë ligjëruesish, i cili ofron një platformë për mësim, shkëmbim dhe bashkëpunim.
Gjyqtarët pjesëmarrës janë trajnuar për temat kyçe si qasja në drejtësi për të gjithë, efikasiteti, etika profesionale, transparenca, komunikimi dhe menaxhimi i gjykatave.
Programi i Trajnimit të Sundimit të Ligjit është hartuar nga Komiteti Holandez i Helsinkit, Shkolla Ligjore e Leiden dhe Akademia e Hagës për Qeverisjen Vendore, ndërkaq është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Holandës.
Trajnimi ka zgjatur nga 7 deri më 16 qershor, 2017.