Ekipi i ekspertëve nga Britania takon kryetarin Hasani

Ekipi i ekspertëve nga Britania takon kryetarin Hasani

Prishtinë, 06 prill 2016 – Të enjten, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Ass. Dr. Fejzullah Hasani, ka pritur në takim një ekip ekspertësh nga Britania e Madhe, të përbërë nga Anthony Welch dhe Maureen Brown, të cilët po qëndrojnë në Kosovë për të bërë rishikimin e punës së EULEX-it dhe të deleguarve nga Britania e Madhe, para vazhdimit eventual të një mandati shtesë për këtë mision.

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_5253.JPG

Me këtë rast, kryetari Hasani, falënderoi shtetin britanik për mbështetjen e vazhdueshme që ka dhënë për Kosovën, në veçanti për gjyqësorin. Sa i përket misionit të EULEX-it, kreu i Supremes, e vlerësoi si shumë më të avancuar këtë mision, krahasuar me misionin paraprak, atë të UNMIK-ut. Megjithatë, ai theksoi se ende kemi nevojë për mbështetje ndërkombëtare. “Por, meqë po themelohet Dhoma e Specializuar, e cila do të merret me rastet e krimeve të luftës, mendoj se vendorët kanë kapacitete për t’i gjykuar rastet tjera. Rolin e EULEX-it, në të ardhmen, më shumë do ta shihja në procesin e integrimit të veriut të vendit, si një mision me një format të kufizuar në kompetenca dhe kapacitete”, u shpreh kryetari Hasani.

Lidhur me pyetjet e ekspertëve britanik nëse një mbështetje e EULEX-it nevojitet edhe për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit, Prof. Ass. Dr. Hasani, pohoi se në këtë drejtim, ky mision mund të transformohet në një gjykatë mobile të EULEX-it, dhe eventualisht të veprojë në rastet sensitive, kur vlerësohet mundësia e ndikimeve nga jashtë.

Para përfaqësuesve britanik, kryetari Hasani potencoi nevojën e koncentrimit në profesionalizëm dhe cilësi e jo vetëm në numra. Këtë aspekt ai e shtroi, jo vetëm për gjyqtarët e EULEX-it, por edhe për ata vendorë, duke shtuar se gjyqësori ka nevojë për rritje të profesionalizmit, llogaridhënies së prokurorëve dhe gjyqtarëve, në mënyrë që të vërehen rezultatet.