USAID me projekte të reja në mbështetje të gjyqësorit

USAID me projekte të reja në mbështetje të gjyqësorit

Sot kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, takoi drejtorin e USAID për Kosovë, z. James Hope, me të cilin diskutuan rreth nevojës për mbështetje të mëtutjeshme të gjyqësorit nga ana e kësaj organizate

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_3813_(1)_575066.JPG

Prishtinë, 18 shtator 2015 – Sot kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, takoi drejtorin e USAID për Kosovë, z. James Hope, me të cilin diskutuan rreth nevojës për mbështetje të mëtutjeshme të gjyqësorit nga ana e kësaj organizate.

Gjatë takimit, kreu i Supremes, shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it, falë së cilës mbështetje janë shënuar shumë përparime, ndërkohë që përmendi sfidat që na presin, me theks të veçantë ato në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Për të pas rezultate të prekshme dhe për të mos ngelur vetëm në suaza të deklaratave verbale dhe një retorike me refren përsëritës ‘për zero tolerancë ndaj këtyre dukurive’, nevojitet një bashkërendim i të gjitha segmenteve të sundimit të ligjit, por edhe mbështetje politike”, u shpreh kryetari Hasani duke shtuar se “deri tani, këto raste ishin kompetencë ekskluzive e gjyqtarëve të EULEX-it, por ky mision në këtë segment është në fund, dhe tani jemi në fazën e bartjes së tërësishme të këtyre kompetencave në segmentet vendore të drejtësisë, ndaj besoj shumë se rezultatet në luftimin e këtyre dukurive kriminale do të jenë evidente dhe efektive”.

Në anën tjetër, z. Hope, theksoi se të njëjtat prioritete ka edhe qeveria amerikane për Kosovën. Ai vuri në pah se reforma e sistemit gjyqësor është një sfidë afatgjate. “Forcimi i sundimit të ligjit, është çështje që merr kohë dhe gjithmonë ka vend për përmirësime. Kërkon shumë energji, lidership, pasion, vizion, për të shtyrë reformat e sundimit të ligjit përpara, dhe në këtë rast dua të theksoj edhe lidershipin tuaj, si kryetar i Gjykatës Supreme, për të shtyrë reformat përpara”, pohoi ai.

Z. Hope e njoftoi kryetarin Hasani se një nga tri prioritetet e caktuara nga ambasadori i ri amerikan, z. Gregory Delawie, është sundimi i ligjit, ku përfshihen luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai, po ashtu, bëri me dije se mbështetja e USAID-it edhe në të ardhmen do të fokusohet në përmirësimin e transparencës gjyqësore dhe se një nga iniciativat do të përfshijë publikimin e të gjitha vendimeve gjyqësore dhe fuqizimin e rolit të Gjykatës Supreme në unifikimin e politikave për zbatimin e ligjeve. 

Ndërkaq, kryetari Hasani vuri në pah se në drejtim të unifikimit të politikave të zbatimit të ligjit në Kosovë, Gjykata Supreme e ka përmbushur këtë mision, duke dhënë shembullin se vetëm brenda një viti, (2010) janë sjell mendime, opinione e qëndrime juridike sa janë sjell brenda dhjetë viteve në këtë gjykatë. “Mund të them se jemi vendi i parë në regjion që si Gjykatë Supreme, procedojmë lëndë të vitit 2015, përkundër mungesës së gjyqtarëve”, shtoi ai.

Në anën tjetër, Prof. Dr. Hasani theksoi nevojën e përpilimit të një strategjie për lëndët e grumbulluara në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në atë të Mitrovicës, të cilat në aspektin e performancës, kanë ndikuar në vlerësimin negativ të tërë sistemit. Ndërkohë që çmoi punën e gjykatave tjera, veçanërisht asaj në Gjilan e Prizren, të cilat potencoi se kanë avancuar në shkurtim të pritshmërisë së palëve, dhe së shpejti do të jenë në kuadër të standardeve të konventave evropiane në aspektin e procedimit dhe respektimit të afatit të arsyeshëm, kur flasim për lëndët e prapambetura.

Në fund të takimit, kryetari Hasani, ritheksoi nevojën e mbështetjes për sistemin e drejtësisë në vend dhe mbi të gjitha për alokim më të dinjitetshëm të buxhetit për gjyqësorin.