Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, njëherësh kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës, të hënën ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për kandidatët që dhanë provimin e jurisprudencës
Prishtinë, 05 tetor 2015 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, njëherësh kryetar i Komisionit për Provim të Jurisprudencës, të hënën ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për kandidatët që dhanë provimin e jurisprudencës.
Në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Drejtësisë, ku u certifikuan 69 kandidatë, të cilët kanë dhënë provimin e Jurisprudencës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, në fjalën e tij të rastit, shprehu kënaqësinë për suksesin e këtyre kandidatëve duke theksuar se me juristë të shkathtë e profesional, mund të sigurojmë avancim në funksionimin e mirëfilltë të shtetit dhe së drejtës në vendin tonë.
“Të gjithë ju, kandidatët e certifikuar, nga sot keni përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë dhe shtetit, pasi që ju është hapur rruga të përfaqësoni në rolin e gjyqtarit, prokurorit apo avokatit, për të kontribuar në respektimin e Kushtetutës, si dhe në forcimin dhe zhvillimin e mëtejmë të sundimit të rendit dhe ligjit”, pohoi kryetari Hasani, para të pranishmëve.
Ai tutje sqaroi se i gjithë angazhimi i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, Ministrisë së Drejtësisë dhe strukturave tjera relevante të shtetit, ka për synim rritjen e cilësisë së kuadrove nëpërmjet formimit të këtyre kandidatëve, si avokatë, gjyqtarë e prokurorë, me integritet, aftësi dhe cilësi të larta profesionale dhe etike.
“Më lejoni që t’ju përcjell një këshillë: Profesioni juaj, rruga që keni nisur për t’u bërë gjyqtarë apo prokurorë të ardhshëm, u takon të privilegjuarve mbi bazën e meritave, një numri të kufizuar, por gjithnjë duhet ta mbani mend se drejtësia duhet t’u shërbejë të gjithëve, pa dallim dhe pa privilegje. Andaj, në punën tuaj dhe me sfidat që do përballeni duhet të keni kurajë, duhet të keni guximin që të vëni në zbatim tërë dijen dhe profesionalizimin tuaj në shërbim të qytetarëve, me nder, dinjitet dhe duke respektuar normat mbi të cilat është ngritur dhe funksionon shoqëria jonë”, u shpreh në fund, Prof. Dr. Hasani.