Delegacioni zviceran viziton Gjykatën Supreme

Delegacioni zviceran viziton Gjykatën Supreme

Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, priti sot një delegacion të Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit të Zvicrës, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_3832_995078.JPG

Prishtinë, 02 tetor 2015 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, priti sot një delegacion të Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit të Zvicrës, i cili po qëndron në një vizitë zyrtare në Kosovë. Delegacioni zviceran, ku përveç anëtarëve të bordit të Odës së Avokatëve të këtij qyteti, bënin pjesë edhe disa studentë, praktikantë të kësaj ode, u njoftuan nga kryetari Hasani me strukturën e sistemit gjyqësor në Kosovë, funksionimin dhe sfidat, nëpër të cilat ka kaluar ky sistem.

“Gjykata Supreme e Kosovës, është themeluar si Gjykatë Supreme në vitin 1969. Mirëpo, ka shënuar një shkëputje kur pushteti serb suprimoi të gjitha institucionet e Kosovës. Edhe Gjykata Supreme i ishte nënshtruar një suprimimi të tillë në vitin 1990, ndërkaq është funksionalizuar pas luftës, në vitin 2000”, ka sqaruar kryetari Hasani, para delegacionit 47 anëtarësh. Ai ka njoftuar të pranishmit edhe për reformat që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor, në janar të vitit 2013, duke vënë në pah se deri në këtë kohë, “Gjykata Supreme ka qenë një lloj hibridi, një lloj përzierje e tri instancave të gjykatës së shkallës së parë, shkallës së dytë dhe Gjykatës Supreme. Kemi qenë gjykatë e Apelit në raport me pesë gjykata të qarkut. Tani Gjykata Supreme është vetëm gjykatë me mjete të jashtëzakonshme juridike dhe vetëm në dy situata paraqitet si gjykatë e Apelit, e ato situata janë kur Gjykata e Apelit ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë nga ai lirues në dënues, dhe rasti i dytë kur gjykata ka shqiptuar dënim me burg të përjetshëm, d.m.th. Gjykata e Apelit ose e ka vërtetuar ose e ka shqiptuar dënimin me burgim të përjetshëm. Vetëm në këto dy situata, Gjykata Supreme është edhe Gjykatë e Apelit”, qartësoi Prof. Dr. Hasani. 

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_3858.JPG

Ndërkaq, z. Elie Elkaim, kryetar i Odës së Avokatëve të kantonit të Vaudit, duke falënderuar kryetarin dhe përfaqësuesit tjerë në takim, për mikpritjen, pohoi se qëllimi i vizitës së tyre është që të shohin se si funksionon sistemi gjyqësor në një shtet të ri si Kosova. Në anën tjetër, ai potencoi se Zvicra e ka mjaft të konsoliduar sistemin e drejtësisë. “Drejtësia është themel i paqes sociale. Ne kemi pretendime të kemi një sistem shembullor, ndonëse duhet, pikë së pari të mbajmë nivelin që kemi arritur”, u shpreh z. Elkaim.

Duke diskutuar në këtë drejtim, kreu i Supremes, pohoi para të pranishmëve se sfida kryesore për gjyqësorin në Kosovë, është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, ku janë shënuar pak rezultate. 

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_3851.JPG

Studentët zviceran u interesuan për çështje të ndryshme, si për zgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve, për provimin e jurisprudencës etj.. Ata treguan se në Zvicër kryejnë Fakultetin Juridik, pesë vjeçar, pastaj kalojnë dy vite praktikë në Odën e Avokatëve të Zvicrës, dhe më pas i nënshtrohen provimit të avokaturës.

Pjesë e këtij delegacioni ishte edhe Jeton Kryeziu, avokat, i cili ishte edhe iniciator i kësaj vizite.

Në pritje të delegacionit zviceran ishte edhe u.d. kryetarja e Gjykatës së Apelit, Tonka Berisha, zv/kryetarja e Gjykatës Supreme, Nesrin Lushta dhe gjyqtarët tjerë të Gjykatës Supreme.