Pas një debati konstruktiv rreth temave të shtjelluara sot, në të dy panelet , atë për “Të drejtën ndërkombëtare, interpretimin dhe zbatimi nga ana e autoriteteve vendore” si dhe për “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe mundësitë në promovimin e dialogut dhe paqes në mes komuniteteve”, ka përfunduar “Samiti i Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015”, organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Instituti për Diplomaci Kulturore (ICD)
Prishtinë, 16 qershor 2015 – Pas një debati konstruktiv rreth temave të shtjelluara sot, në të dy panelet , atë për “Të drejtën ndërkombëtare, interpretimin dhe zbatimi nga ana e autoriteteve vendore” si dhe për “Të drejtat e njeriut, sfidat dhe mundësitë në promovimin e dialogut dhe paqes në mes komuniteteve”, ka përfunduar “Samiti i Kosovës për të drejtën ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut 2015”, organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës dhe Instituti për Diplomaci Kulturore (ICD).
Samitin e ka përshëndetur me fjalë rasti, kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, z. Bashkim Dedja, ndërkaq e kanë nderuar me pjesëmarrjen e tyre, përfaqësues vendorë e të huaj, në mesin e të cilëve, edhe themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, znj. Natasha Kandic.
Derisa në panelin e parë, nën moderimin e gjyqtares Valdete Daka, me ligjërata janë paraqitur prof. Blerim Reka, Avokati i Popullit, z. Sami Kurteshi, pastaj udhëheqësja e UN Women në Kosovë, znj. Flora Macula dhe gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, z. Bekim Sejdiu, në panelin e dytë, me moderator Andrew Russell, koordinator i UNDP-së në Kosovë, folës ishin shefi i UNHCR-së në Kosovë, z. N. L. Narasimha Rao, nga OHCHR, z. Lubisha Bahcarevic, nga UNICEF-i z. Afrim Ibrahimi, si dhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare, z. Bekim Blakaj.
Bazuar në temat e paneleve, dita e dytë e Samitit zgjoi debat mbi të drejtat e grave, të drejtat e fëmijëve, të drejtat e të zhvendosurve, mbi të zhdukurit dhe viktimat e luftës dhe mbi të drejtat e familjarëve të tyre.
Në fund të Samitit, përfaqësuesi i UNDP-së, z. Russell dhe nikoqiri i Samitit, kryetari i Gjykatës Supreme, prof. dr. Fejzullah Hasani, dhanë konkluzionet e tyre për Samitin, duke e vlerësuar si një ngjarje që ka përmbushur objektivat e synuara.
Kryetari Hasani ka theksuar nevojën e rritjes së kapaciteteve në gjyqësor, përveç në resurse njerëzore, edhe në fushën e trajnimeve, pastaj nevojën e zbatimit në praktikë të së drejtës ndërkombëtare etj.. Ai shtroi edhe nevojën e dialogut mes komuniteteve, duke pohuar se “Ballkani perëndimor është i njohur për shkak të historive të dhimbshme të luftërave, konflikteve që kanë prodhuar, përveç viktima në njerëz, zhvendosje të popullsisë dhe dëme materiale, ka krijuar edhe hendeqe, jo lehtë të kalueshme, mes të komuniteteve, që gjithashtu, shpeshherë këto barriera janë edhe burim i cenimit të të drejtave dhe lirive të njeriut”. Kreu i Supremes, vuri në pah se është punuar në drejtim të relaksimit të këtyre raporteve, por ka nevojë për avancim të mëtutjeshëm të komunikimit mes komuniteteve. “Një nga konkluzionet, në këtë fushë, do të ishte që të vazhdohet me avancimin e dialogut, i cili do të kontribuonte në integrimin e komuniteteve, veçmas në gjyqësor. Ne tani jemi në fazën përfundimtare të integrimit të komuniteteve në sistemin gjyqësor të Kosovës, dhe besoj se kjo do të ketë ndikim në zbutjen e kundërthënieve”, u shpreh prof. dr. Hasani.
Ndërkaq, në fjalën e tij përmbyllëse z. Russell theksoi faktin se takimet, punëtoritë, konferencat janë mjete për arritjen e një qëllimi. “Paqja është mjet për të arritur një qëllim. Paqja na ndihmon të arrijmë objektivat tona si kombe”. Ai potencoi se as dialogu nuk është qëllim në vete, porse duhet përdorur si duhet në arritjen e një qëllimi. Duke përmendur konventat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, ai bëri thirrje për bashkëpunim, në mënyrë që të mos pritet derisa Kosova të bëhet pjesë e këtyre konventave, por të punohet në identifikimin e boshllëqeve duke lehtësuar rrugën e Kosovës drejt avancimit, në këtë drejtim.
Në fund të Samitit, kryetari Hasani, falënderoi të gjithë mbështetësit, që kontribuuan në organizimin e këtij Samiti, përfshirë ICD-në, UNDP-në, USAID-in, stafin e Gjykatës Supreme, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, pastaj të ftuarit, panelistët dhe të gjithë pjesëmarrësit tjerë që nderuan Gjykatën Supreme me praninë e tyre.
Tema e samitit, simbolikisht shënoi 70 vjetorin e mbarimit të Luftës së II Botërore, themelimin e OKB-së, krijimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, dhe 20 vjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit, të nënshkruar në Paris, në dhjetor të vitit 1995.