Gjykata Supreme kërkon të mos nëpërkëmbet gjyqësori

Gjykata Supreme kërkon të mos nëpërkëmbet gjyqësori

Të hënën, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani ka mbajtur takim me gjyqtarët e kësaj gjykate, ku është diskutuar për draft ligjin më të ri për Pagat e Zyrtarëve të Lartë, sipas të cilit draft, pozita e kryetarit dhe gjyqtarëve të Supremes është denigruese dhe e papranueshme

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_3041_453462.JPG

Prishtinë, 26 maj 2015 –  Të hënën, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani ka mbajtur takim me gjyqtarët e kësaj gjykate, ku është diskutuar për draft ligjin më të ri për Pagat e Zyrtarëve të Lartë, sipas të cilit draft, pozita e kryetarit dhe gjyqtarëve të Supremes është denigruese dhe e papranueshme. 

Kryetari Hasani ka theksuar nevojën urgjente të rishikimit të këtij draft ligji, i cili ka shpërfillur pushtetet në Kosovë, duke injoruar Gjykatën Supreme, si pushtet i tretë në vend dhe ekuivalent me pushtetin legjislativ dhe me atë ekzekutiv. Derisa Kryeprokurori i Shtetit, Kryesuesi i KGJK-së dhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese janë ranguar në një pozitë me kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit, kryetari i Gjykatës Supreme është lënë në rang të dytë me nënkryetarin e Kuvendit zv/kryeministrat dhe Avokatin e Popullit. 

Për të pranishmit ishte e çuditshme se si Kryeprokurori i Shtetit që nuk është pjesë e tri pushteteve dhe Kryesuesi i KGJK-së që është zyrtari më i lartë administrativ, rangohen para Kryetarit të Gjykatës Supreme.  

Ndërsa prokurorët e shtetit janë ranguar shumë më lartë se gjyqtarët e Gjykatës Supreme, derisa Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit ka pagë më të lartë se gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe gjithë prokurorët e niveleve ekuivalente me gjykatat, kanë koeficient më të lartë se sa gjyqtarët. 

Ndaj, kryetari Hasani dhe gjyqtarët e Gjykatës Supreme kanë vendosur që t’i drejtohen Kryeministrit, Presidentes, Ministrisë së Administratës Publike dhe ambasadave në vend, në mënyrë që të mos lejohet nëpërkëmbja e gjyqësorit.