Delegacioni turk viziton Gjykatën Supreme

Delegacioni turk viziton Gjykatën Supreme

Një delegacion nga Turqia, në përbërje prej nëntëmbëdhjetë zyrtarëve të Akademisë së Drejtësisë ka vizituar Gjykatën Supreme, me ç’rast janë pritur nga kryetari i gjykatës, prof. dr. Fejzullah Hasani dhe gjyqtarët e Supremes

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/deleg.turk_261152.jpg

Prishtinë, 31 mars 2015 –  Një delegacion nga Turqia, në përbërje prej nëntëmbëdhjetë zyrtarëve të Akademisë së Drejtësisë ka vizituar Gjykatën Supreme, me ç’rast janë pritur nga kryetari i gjykatës, prof. dr. Fejzullah Hasani dhe gjyqtarët e Supremes. Delegacioni i kryesuar nga Yilmaz Akçil, kryetar i Akademisë së Drejtësisë së Turqisë, diskutoi me nikoqirët lidhur me funksionimin e sistemit gjyqësor në Kosovë, me theks të veçantë, në Gjykatë Supreme.

Kryetari Hasani ka çmuar lartë mbështetjen e vazhdueshme të shtetit turk në forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë që ky bashkëpunim të thellohet më tutje. “Shfrytëzoj rastin që edhe njëherë të falënderoj nga zemra për mbështetjen që po jep Turqia, në segmente të caktuara, veçmas në gjyqësor. Relacionet janë të veçanta me Akademinë e Drejtësisë, me projektet që po mbështesin trajnuesit që po trajnojmë për gjyqtarë të ardhshëm”, u shpreh kreu i Supremes. 

Ndërkaq, kryetari i Akademisë turke të Drejtësisë, z. Akçil, ka folur me konsideratë të lartë për kolegët e Gjykatës Supreme dhe njëherësh ka uruar që Pallati i Drejtësisë të jetë i dobishëm për Kosovën dhe sistemin e drejtësisë në vend. Ai ka precizuar se do të japin mbështetje të pa-rezervë gjatë transformimit të Institutin Gjyqësor të Kosovës në Akademi të Drejtësisë. ”Akademia jonë prej vendeve që më së shumti i ka parasysh dhe mundohet që të ketë marrëdhënie të ngushta, është Kosova”, theksoi kryetari Akçil duke siguruar se këto marrëdhënie do të thellohen më tutje. 

Anëtarët e këtij delegacioni, në mesin e të cilëve anëtarë të Këshillit të Shtetit, anëtarë të Këshillit Prokurorial – Gjyqësor, prokurorë, gjyqtarë, kanë drejtuar një varg pyetjesh për kryetarin Hasani, i cili u ka sqaruar strukturën e sistemit gjyqësor në vend, strukturën e gjykatave veç e veç, procedurat e zgjedhjes së gjyqtarëve, numrin e lëndëve të zgjidhura në Gjykatë Supreme, pastaj reformat që ka pësuar sistemi i drejtësisë që nga janari i vitit 2013, etj..