USAID ofron mbështetje në prioritetet e Gjykatës Supreme

USAID ofron mbështetje në prioritetet e Gjykatës Supreme

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani, të premten është takuar me drejtorin e Misionit të Agjencionit të ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë (USAID), z. James Hope

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_2356_208078.JPG

Prishtinë, 6 mars 2015 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani, të premten është takuar me drejtorin e Misionit të Agjencionit të ShBA-ve për Zhvillim Ndërkombëtar në Kosovë (USAID), z. James Hope. 

Si drejtor i ri në këtë mision, z. Hope ka bërë të qartë se qëllimi i takimit është njoftues dhe se mbështetja për të përmirësuar sektorin e sundimit të ligjit do të vazhdojë. “Kjo mbështetje përfshinë edhe partneritetin me Gjykatën Supremes”, ka pohuar z. Hope, duke shtuar se është i interesuar për ndërtimin e një raporti konstruktiv me Gjykatën Supreme. Ai ka siguruar kryetarin Hasani se përmirësimi i sundimit të ligjit do të vazhdojë të jetë prioritet i USAID për Kosovë, dhe ka shprehur interesimin të dëgjojë prioritetet më të nevojshme, sa i përket sistemit të drejtësisë. Në anën tjetër, kryetari Hasani ka theksuar gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit dhe njëkohësisht ka falënderuar USAID-in për ofrimin e mbështetjes në segmentin e drejtësisë, posaçërisht në gjyqësor. Tutje, kreu i Supremes e ka njoftuar drejtorin e USAID-it për gjendjen në gjyqësor, që nga paslufta, duke vënë theksin në problemet që e kanë përcjell këtë sistem. “Po mos të ishte faktori ndërkombëtar, SHBA-të dhe veçanërisht USAID, UNDP etj., të cilat me projektet e tyre kanë kontribuar, nuk do të ishim këtu ku jemi sot”, theksoi ai. Megjithatë, z. Hasani ka shprehur nevojën që kjo mbështetje të vazhdojë, posaçërisht në procesin e decentralizimit të kompetencave nga KGJK-ja tek gjykatat, ku, sipas tij, USAID do të mund të ndihmonte me trajnime profesionale për stafin, ndërkohë që e ka cilësuar të mirëseardhur edhe mbështetjen në mbarëvajtjen e projektit për menaxhimin informativ të lëndëve, (TIK/SMIL), i cili është duke u zhvilluar me mbështetjen e qeverisë norvegjeze. 

Kryetari Hasani nuk ka lënë pa përmendur edhe nevojën për ndihmë nga USAID lidhur me amandamentimin e ligjeve, që po ndodh aktualisht.  

Z. Hope i ka cilësuar shumë të rëndësishme këto prioritete duke siguruar se ato do të adresohen. 

Një aspekt tjetër me rëndësi që u diskutua në takim, ishte edhe çështja e transparencës me publikun, ku kryetari Hasani theksoi specifikën e punës në Supreme, ku pikërisht transparenca është më se e rëndësishme. Ai ka veçuar publikimin e Buletinit të Gjykatës Supreme, i cili u bë vitin e kaluar me mbështetje të OSBE-së, ndërkohë që pas decentralizimit, theksoi se do të ndahet buxhet i veçantë për publikimin e tyre, pasi deri më tash, gjithmonë ka pasur arsyetime për mungesë buxheti nga ana e KGJK-së, gjë që ka pamundësuar publikimin e buletineve.