Mbahet seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme

Mbahet seanca e përgjithshme e Gjykatës Supreme

Të martën është mbajtur Seanca e Përgjithshme e Gjykatës Supreme, e udhëhequr nga kryetari i gjykatës, prof. dr. Fejzullah Hasani

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/seanca_1_381838.JPG

Prishtinë, 10 mars 2015 – Të martën është mbajtur Seanca e Përgjithshme e Gjykatës Supreme, e udhëhequr nga kryetari i gjykatës, prof. dr. Fejzullah Hasani. 

Si pikë e parë e rendit të ditës ka qenë raporti i punës për gjyqtarët, me ç’rast kryetari Hasani ka sqaruar numrin e lëndëve për muajin shkurt, për secilin prej tyre.

Ai pohoi se bazuar në raportin mujor, vërehet se ka një tendencë të rritjes së numrit të lëndëve që kanë ardhur në gjykatë. 

Ndërkaq, në diskutim është ngritur edhe çështja e mandatit të dy anëtareve të Këshillit Gjyqësor, të deleguar nga Gjykata Supreme, për të cilët Këshilli Gjyqësor ka nxjerr një vendim që ua njeh mandatin shtesë një vjeçar, pas skadimit të mandatit të rregullt pesë vjeçar. Kryetari Hasani ka kërkuar që kjo çështje të hidhet në votim për të vendosur nëse gjyqtarët janë dakord që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, prej nga ky institucion do ta bënte të qartë nëse dy anëtarët e KGJK-së, kryesuesi Enver Peci dhe anëtarja Valdete Daka, kanë të drejtë për mandat shtesë, ose jo. 

 “Janë shfuqizuar ligjet që kanë të bëjnë me pavarësinë e mbikëqyrur, përfshirë edhe nenin 151, në të cilin po aludohet.  Është shumë e qartë, si në aspektin kushtetues po ashtu edhe në atë ligjor”, ka theksuar kreu i Supremes, duke shtuar se për të mos ardhur në situata të palakueshme, Gjykata Supreme do t’i fillojë procedurat e delegimit të çështjes në Gjykatë Kushtetuese. 

Me shumicë votash, gjyqtarët kanë votuar për dërgimin e çështjes në Kushtetuese.

Ndryshe, në seancë u diskutua edhe për grevën e gjyqtarëve të gjykatave themelore, ku u debatua gjatë rreth gjendjes dhe ndryshimeve në disfavor të tyre, që kanë ndodhur gjatë transferimit të gjyqtarëve nga një nivel gjykate në një tjetër, me rastin e reformave në gjyqësor, në segmentin e pagave.