Kryetari Hasani takon kryetarët e gjykatave

Kryetari Hasani takon kryetarët e gjykatave

Të premten, kryetari i Gjykatës Supreme, prof. dr. Fejzullah Hasani ka mbajtur takim me kryetarët e gjykatave themelore dhe kryetarin e gjykatës së Apelit, lidhur me çështjen e grevës së gjyqtarëve dhe çështje tjera me rëndësi për sistemin e drejtësisë në vend

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_2407_35430.JPG

 

Prishtinë, 20 mars 2015 – Të premten, kryetari i Gjykatës Supreme, prof. dr. Fejzullah Hasani ka mbajtur takim me kryetarët e gjykatave themelore dhe kryetarin e gjykatës së Apelit, lidhur me çështjen e grevës së gjyqtarëve dhe çështje tjera me rëndësi për sistemin e drejtësisë në vend.

Duke parë se po cenohen rëndë të drejtat e individëve, të paraburgosurve dhe të tjerëve që kanë çështje në gjykata, ngase po prolongohen çështjet, po krijohen shpenzime të panevojshme te palët, por edhe revoltë tek ta, ndërsa si pasojë e kësaj greve, disa të paraburgosur kanë hyrë në grevë  urie, për t’i evituar pasojat akoma më të mëdha dhe vështirë të riparueshme – për një kohë të gjatë, u kërkua që të gjendet zgjidhja dhe të përfundoi greva.

Të gjithë kryetarët e gjykatave u shprehen të shqetësuar me gjendjen në gjyqësor, secili duke treguar për numrin e lëndëve që janë shtyrë në gjykatat përkatëse, dhe duke kërkuar që sa më shpejt të gjendet një zgjidhje. Propozimi i kryetarit të gjykatës së Prizrenit, Ymer Hoxha u përkrah nga të tjerët. Ai propozoi që kryetari i Supremes bashkë me atë të Apelit dhe me Kryesuesin e KGJK-së, ta takojnë kryeministrin e vendit, për të adresuar këtë çështje, pasi gjendja është alarmante.

Gjatë takimit u diskutua edhe për decentralizimin e kompetencave nga SKGJK tek gjykatat, për relacionet gjykata – KGJK, SKGJK dhe u shpreh pakënaqësi e madhe, veçmas me punën  e Sekretariatit të KGJK-së.