Një delegacion i Këshillit Shtetëror të Francës, i përbërë nga kryetarja e Seksionit të Studimeve dhe Raporteve, znj. Maryvonne de Saint Pulgent dhe shefi i marrëdhënieve ndërkombëtare z. Yves Gounin, të hënën kanë vizituar Gjykatën Supreme, me ç’rast janë takuar me kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani
Prishtinë, 9 mars 2015 – Një delegacion i Këshillit Shtetëror të Francës, i përbërë nga kryetarja e Seksionit të Studimeve dhe Raporteve, znj. Maryvonne de Saint Pulgent dhe shefi i marrëdhënieve ndërkombëtare z. Yves Gounin, të hënën kanë vizituar Gjykatën Supreme, me ç’rast janë takuar me kryetarin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, prof. dr. Fejzullah Hasani.
Gjatë këtij takimi, znj. Saint Pulgent është interesuar për strukturën e sistemit gjyqësor në vend, ndërkohë që ka përshkruar në detaje mënyrën e funksionimit të sistemit të drejtësisë në Francë.
Kryetari Hasani u ka sqaruar të pranishmëve reformat që kanë ndodhur në sistemin gjyqësor të vendit, që nga 1 janari i vitit 2013, duke specifikuar ndryshimet që kanë përshirë Gjykatën Supreme.
“Me strukturën e re, kemi tri nivele të gjykatave, gjykatat themelore, një gjykatë të Apelit, e cila, tash do të ketë një degë në pjesën veriore të Mitrovicës, si dhe Gjykatën Supreme”, u ka bërë me dije kreu i Supremes, duke bërë të qartë se Gjykata Kushtetuese nuk bënë pjesë në sistemin gjyqësor.
Për dallim nga Gjykata Kushtetuese në Kosovë, e cila merret edhe me vlerësimin e vendimeve të gjykatave të rregullta, një gjë e tillë, nuk është kompetencë e Këshillit Kushtetues në Francë, ka precizuar znj. Saint Pulgent.
Delegacioni francez është interesuar edhe për çështjet e propozimit, emërimit të gjyqtarëve, gjë të cilën ua ka sqaruar kryetari Hasani.
Tutje, duke folur për gjyqtarët e specializuar, kreu i Gjykatës Supreme, ka pohuar se po planifikohet krijimi i një departamenti për tatime, dhe sipas tij, gjyqtarët që do të jenë pjesë e këtij departamenti, do të kenë nevojë të fitojnë njohuri të reja, në vendet si Franca, që kanë eksperiencë në këtë drejtim. “Aktualisht nuk kemi gjykatës të specializuar në fushën e financave, tatimeve, buxhetit, ndaj kemi nevojë për trajnimin e gjykatësve në këtë drejtim”, u shpreh z. Hasani.
Znj. Maryvonne de Saint Pulgent dhe z. Yves Gounin shprehën gatishmërinë për të pritur kryetarin Hasani dhe gjyqtarë të tjerë vendorë, në Këshillin Shtetëror të Francës.