Turqia e gatshme ta ndihmojë gjyqësorin e Kosovës

Turqia e gatshme ta ndihmojë gjyqësorin e Kosovës

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, të hënën është takuar me ambasadoren turke në Kosovë znj. Songul Ozan

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/DSCN1702_610571.JPG

Prishtinë, 26 janar 2015 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, të hënën është takuar me ambasadoren turke në Kosovë znj. Songul Ozan.

Duke falënderuar për mikpritjen, znj. Ozan ka shprehur bindjen se gjyqësia vendore po jep një ndihmë të madhe për shtetin e Kosovës. Ajo ka bërë me dije se gjatë ditës do të takojë edhe dy krerë të tjerë të drejtësisë në vend, Kryesuesin e KGJK-së, z. Enver Peci dhe UD të Kryeprokurorit të Shtetit, z. Sylë Hoxha. 

Ndonëse ekziston një bashkëpunim edhe në fushën e gjyqësorit, mes Kosovës e Turqisë, ambasadorja Ozan është shprehur e gatshme të dëgjojë kryetarin Hasani, nëse ka ndonjë plan apo kërkesë, në mënyrë që ky bashkëpunim të thellohet më tutje. Ajo ka përmendur tri marrëveshje të nënshkruara në vitin 2011 mes Kosovës e Turqisë, në fushën e gjyqësisë. 

Në anën tjetër, kryetari Hasani, e ka cilësuar nder për Gjykatën Supreme, vizitën e ambasadores turke, duke përmendur relacionet me segmentet e drejtësisë në Turqi, të cilat janë mbajtur dhe forcuar përmes Akademisë turke të Drejtësisë.  

“Përmes kësaj akademie kemi pasur mbështetje në organizimin e trajnimeve për kandidatët fillestarë, pastaj këtë vit do të jemi në dy vizita zyrtare në Turqi, në prill në një takim në Ankara dhe në maj në një konferencë regjionale në Antali”, ka bërë me dije z. Hasani. Ai ka shprehur konsiderata të larta për ndihmën që ka dhënë Turqia në avancimin e drejtësisë së Kosovës. Kreu i Supremes ka përmendur takimet në Turqi, gjatë të cilave janë njohur me sistemin për regjistrimin digjital të çështjeve (UJAP), për çka, sipas tij, Turqia, është shprehur e gatshme ta ndihmojë vendin, pasi ka një program, ndër më të avancuarit në Evropë. 

Tutje, kryetari Hasani potencoi rëndësinë e marrëdhënieve me Turqinë, duke përmendur faktin se me këtë shtet na lidhin edhe relacionet familjare, pasi, pothuajse çdo familje kosovare, ka dikë të afërm në Turqi. Duke ritheksuar fjalët e kryetarit, ambasadorja Ozan ka pohuar se, “ashtu sikurse dy vendet kanë marrëdhënie të ngushta humane, jemi të interesuar që këto marrëdhënie t’i forcojmë edhe në fushën e gjyqësorit. Turqia është e gatshme të ndihmojë Kosovën, si financiarisht ashtu edhe me ekspertiza”.  

Të dy bashkëbiseduesit janë shprehur të gatshëm për bashkëpunim të mëtutjeshëm, veçmas në fushën e drejtësisë.