Të martën, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, mbajti konferencën vjetore për media
Prishtinë, 16 dhjetor 2014 – Të martën, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, mbajti konferencën vjetore për media, ku priti gazetarë të shumtë nga mediume të ndryshme në vend, para të cilëve prezantoi:
• Raporti Vjetor të punës së gjykatës (2014), sfidat, të arriturat e këtij viti dhe planet për vitin që vjen, si dhe
• Buletinin e Gjykatës Supreme
Me këtë rast, kryetari Hasani, pohoi para gazetarëve të pranishëm se, “Gjykata Supreme ka shënuar një performancë të mirë këtë vit. Këtë e them, duke u bazuar në faktin se ne po procedojmë lëndë të vitit 2014, d.m.th., nuk kemi çështje nga vitet paraprake. Kjo ulje e afatit të pritshmërisë është rezultat i reformës që ka ndodhur në gjyqësor, për shkak se Ligji i ri mbi Gjykatat e ka shkarkuar nga disa kompetenca që kishte Gjykatën Supreme. Konsideroj, se fokusi i gjykatës, tani e tutje, është që të prodhojë drejtësi, duhet të orientohet në drejtim të rritjes së cilësisë”. Një aspekt tjetër, që sipas kryetarit, dëshmon për përformancën e mirë të këtij viti, në Gjykatë Supreme, është çështja e ankesave, “viti që po e lëmë, ka shumë më pak ankesa për punën e Gjykatës Supreme nga ana e institucioneve, ose nga ana e palëve”.
Megjithatë, Kryetari Hasani theksoi se puna e Supremes nuk është indikator që determinon gjendjen në gjyqësorin e Kosovës. “Është një sistem që duhet të mirë-funksionojë për të treguar se kemi një gjyqësor stabil, ku mbretëron profesionalizimi, ligjshmëria etj..”. Kryetari ka vënë në pah se, në sistemin aktual, deri më tash, ka munguar llogaridhënia. Sipas tij, në një sistem stabil, gjyqtarët ngriten në detyrë në bazë të vlerave, rezultateve. “Te ne, ka munguar kriteri që ngrit gjyqtarët e mirë dhe ul apo largon nga sistemi ata që kanë performancë të ulët, apo janë përfshirë në abuzim”. Si një fakt shqetësues, kreu i Supremes, ka përmendur mosfunksionimin e sistemit gjyqësor në veri të qytetit të Mitrovicës. Ai, po ashtu, ka ripërsëritur çështjen e kompetencave të centralizuara tek KGJK-ja, gjë që ka dëshmuar të jetë jo-funksional dhe jo në të mirë të zhvillimit të gjyqësorit, duke lënë pezull shumë çështje dhe probleme të pazgjidhura. Si rrjedhim, kryetari ka theksuar rëndësinë e decentralizimit të kompetencave nga KGJK tek gjykatat, proces në të cilin është duke u punuar.
Ndër sfidat tjera, me të cilat sistemi gjyqësor në vend është përballur këtë vit, z. Hasani vuri theksin edhe në çështjet penale që lidhen me krimin e organizuar dhe korrupsionin, veçmas në gjykatat e instancave të ulëta, pastaj në vendet vakante për gjyqtarë, në numrin e madh të çështjeve të prapambetura në gjykatat e instancave më të ulëta, etj..
Ndryshe, kryetari Hasani ka vlerësuar lartë mbështetjen e USAID që, përmes projekteve të saj, veçanërisht të EROL-it dhe Projektit për Përmbarimin e Lëndëve, kanë ndikuar në fuqizimin e sektorit të gjyqësorit në vend.
Gjatë konferencës, kryetari Hasani, shpalosi para gazetarëve, statistikat lidhur me lëndët e përfunduara nga Gjykata Supreme.
“Gjykata Supreme, këtë vit, në periudhën janar-nëntor, ka pranuar 896 lëndë. Në fund të nëntorit në punë kanë qenë 1.010 lëndë, ndërkaq të trashëguara nga viti paraprak kanë qenë 114 lëndë. Të kryera në këtë periudhë kanë rezultuar 824 lëndë, përderisa të pakryera kanë qenë 186 sosh”, raportoi Kryetari.
Tutje, kreu i Supremes, foli edhe për angazhimin dhe seriozitetin me të cilin gjykata ka punuar rreth mendimeve juridike, si një nga obligimet, më të rëndësishme ligjore, të këtij institucioni.
Duke folur për planet për vitin që po vjen, Kryetari u tha gazetarëve se si Gjykatë Supreme, prioritet do të kemi; procedimin e çështjeve që kanë të bëjnë me krimin e organizuar dhe korrupsionin; kontrollin dhe mbikëqyrjen e gjykatave të niveleve më të ulëta rreth procedimit të çështjeve sipas ardhjes nëpër gjykata dhe prioriteteve ligjore. “Fokusi i Gjykatës Supreme do jetë në mbikëqyrjen e segmentit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, për faktin se në këtë fushë ka defekte të mëdha dhe do të aplikohet një kontroll i rreptë në problemin e parashkrimeve të çështjeve penale nëpër gjykata të instancave më të ulëta”, nënvizoi ai.
Prof. Dr. Hasani u përgjigj në pyetjet e gazetarëve, të cilat vunë theksin në grumbullimin e lëndëve nëpër gjykatat themelore, në pavarësinë e gjyqësorit, në numrin e vogël të gjyqtarëve, etj..
Përveç Raportit Vjetor 2014, para mediave, u prezantua edhe Buletini i radhës, i Gjykatës Supreme.