Gjykata Kushtetuese fokusohet në verifikim të shkeljeve e jo në zgjidhje të çështjes

Gjykata Kushtetuese fokusohet në verifikim të shkeljeve e jo në zgjidhje të çështjes

“Kufijtë e vlerësimit të kushtetutshmërisë në rastet individuale (neni 113.7 i Kushtetutës) dhe efekti juridik i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka qenë tema e punëtorisë së organizuar të martën, nga Gjykata Kushtetuese në bashkëpunim me Gjykatën Supreme dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/gj.supreme_dhe_gj.kushtetuese_254202.jpg

Prishtinë, 2 dhjetor 2014 – “Kufijtë e vlerësimit të kushtetutshmërisë në rastet individuale (neni 113.7 i Kushtetutës) dhe efekti juridik i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka qenë tema e punëtorisë së organizuar të martën, nga Gjykata Kushtetuese në bashkëpunim me Gjykatën Supreme dhe me mbështetjen e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Dr. Sc. Fejzullah Hasani në fjalimin e tij para të pranishmëve potencoi faktin se që nga marrja e detyrës së kryetarit të kësaj gjykate, fokus kryesor ka pasur rritjen cilësore të veprimtarisë së gjykatave të rregullta. Në këtë kuptim, ai ka vlerësuar mbështetjen e pakursyer që ka gjetur te Gjykata Kushtetuese, duke thënë se “falë kësaj, bashkëpunimet tona institucionale janë gjithnjë më të shpeshta, si në këmbim përvojash, interpretim dispozitash kushtetuese dhe të praktikave ndërkombëtare, që pa dyshim duhet të përkrahen dhe të nxiten edhe nga nivele tjera”.

Tutje, kryetari Hasani ka çmuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese duke specifikuar se për nga karakteri dhe rëndësia e tyre, këto vendime të dhëna brenda kësaj periudhe relativisht të shkurtër të ekzistencës së gjykatës, “janë pikërisht dëshmi e këtij orientimi dhe zhvillimi demokratik të cilin synojmë ta arrijmë”.

“Gjykata Kushtetuese për vetë natyrën dhe objektin e vendimmarrjes, megjithëse qëndron jashtë politikës, shpesh tërheq vëmendjen e saj”, ka pohuar i pari i Supremes duke shtuar se “vendimet e saj, në një pjesë të tyre, kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen politike të organeve të pushtetit shtetëror, duke ndikuar në përcaktimin e mënyrës sesi politika duhet të sillet në raport me organe të caktuara, por edhe organet karshi vendimeve që marrin ndaj individëve dhe respektimit të të drejtave të tyre, të garantuara me Kushtetutë”. Ai ka përgëzuar iniciativat e Kryetarit, Enver Hasani, për punë të përbashkët dhe këmbim të përvojave, duke mirëpritur në këtë rast ligjëratën e profesor dr. Xhejms Swen në ketë fushë.

“Në rastet e nenit 113.7 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese gjatë këtyre viteve është ndalur shpesh tek e drejta e individit për një proces të rregullt ligjor, çka konsideroj se ka përbërë edhe kompetencën më të ushtruar prej saj… Ankesat kushtetuese individuale për çështje që lidhen me shkeljen e të drejtave kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, përbëjnë një urë lidhëse midis vendimeve të gjykatave të rregullta dhe jurisprudencës kushtetuese”, është shprehur z. Hasani. Ai ka përmendur debatet ku janë shtruar dilema nëse gjykimet e kësaj natyre e vendosin Gjykatën Kushtetuese në pozicionin e një gjykate të shkallës së katërt, duke mohuar një kategorizim të tillë me argumentin se Gjykata Kushtetuese fokusohet vetëm në verifikimin e shkeljeve që cenojnë parimet themelore të gjykimit dhe jo në zgjidhjen në thelb të çështjes. Ndaj, në fund, kreu i Supremes ka ritheksuar rëndësinë e këtyre takimeve, pikërisht për faktin se mënjanojnë shumë dilema, dhe thellojnë edhe më tej bashkëpunimin mes institucioneve.