Kryetari Hasani takon ekspertin për statistika Stentz – zotohen për bashkëpunim

Kryetari Hasani takon ekspertin për statistika Stentz – zotohen për bashkëpunim

Kryetari i Gjykatës Supreme, dr. Sc. Fejzullah Hasani të enjten pasdite ka pritur në takim ekspertin e USAID/EROL, z. Steve Stentz

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/foto_nga_takimi_80211.JPG  

Prishtinë, 27 nëntor 2014 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, dr. Sc. Fejzullah Hasani të enjten pasdite ka pritur në takim ekspertin e USAID/EROL, z. Steve Stentz, i cili po qëndron në Kosovë për të ndihmuar në themelimin e praktikave më të mira, të udhëzuesve dhe procedurave për hartimin e statistikave më të besueshme gjyqësore.

I ftuar në këtë takim ishte edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Salih Mekaj, dhe zyrtarë të tjerë të gjykatave.

Z. Stentz ka pohuar se EROL po punon në modifikimin e data-bazës së të dhënave për gjykatat, përmes së cilës do të lehtësohet hartimi i saktë i të dhënave statistikore dhe raporteve për gjykatat.

Kryetari i Gjykatës Supreme z. Hasani ka bërë me dije se përkundër përpjekjeve dhe investimeve në gjyqësor, sa i përket çështjes së statistikave, ende të dhënat ruhen duke përdorur sistemin klasik. Madje, ai ka bërë me dije se Gjykata Supreme nuk ka një zyrtar të caktuar të statistikave, porse këtë punë e bënë referenti.

Projektin norvegjez për menaxhimin informativ të lëndëve, TIK/SMIL, ndonëse në fillimet e tij, kryetari Hasani e ka vlerësuar dobiprurës për të gjitha fushat në drejtësi.

Ndërkaq, kryetari i Gjykatës së Apelit, z. Salih Mekaj u shpreh se, në krahasim me Gjykatën Supreme, gjykatat themelore dhe ajo e Apelit, janë më të ngarkuara me lëndë dhe se mungesa e një sistemi elektronik për regjistrimin e lëndëve, paraqet një problem serioz për sistemin në tërësi. Ndaj, ndërtimi i bazës së të dhënave nga USAID/EROL, sipas tij, ka sjell lehtësi.

Z. Stentz theksoi se përpilimi/hartimi i raporteve periodike do të jetë shumë më i lehtë me këtë data bazë në të cilën po punon EROL. Ai shtoi se data baza e përmirësuar nënkupton zvogëlimin e vështirësive për të hartuar statistika duke lënë pak vend për gabime. Qëllimi, sipas tij, është të tregohet vëllimi i lëndëve; të ofrohet një pasqyrë e qartë për lëndët penale; natyrën e rezultateve; si zgjidhen këto lëndë; për natyrën e lëndëve civile; qartësi për lëndët që presin të zgjidhen; një pasqyrë e qartë për lëndët që janë në gjykata; kur është bërë gjykimi, përcjellja e fazës pas zgjidhjes së lëndës; të paraqitet qartë kur lëndët vijnë nga gjykatat themelore në atë të Apelit etj.. Krejt këto, sipas ekspertit, kanë edhe një qëllim, atë që të bëhet menaxhim më i mirë i resurseve që ato lëndë të zgjidhen.

Kryetari Hasani ka bërë të qartë se sa i përket lëvizjes së çështjeve nëpër gjykata, edhe tani gjykatat kanë të dhënat e detajuara, që nga regjistrimi në regjistrat e gjykatave e deri te arkivimi i lëndëve, mirëpo ato bëhen në mënyrë manuale dhe aplikohet sistemi klasik i evidencave që procesin e hartimit të statistikave e bënë më të vështirë dhe më të komplikuar. Ndaj u vlerësua e mirëseardhur ndihma e USAID/EROLL-it, për data bazën e re.

Të pranishmit u dakorduan që kalimi i të dhënave nga data baza e krijuar nga projekti i USAID-EROL të bëhet në mënyrë automatike në data bazën që do të jetë afatgjate nga projekti norvegjez, pasi në të kundërtën, një bartje jo automatike, sipas tyre, do të ishte e papërballueshme për gjyqësorin.