Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci vlerëson mundësinë për shkëmbim të përvojave në Konferencën “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës”

Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci vlerëson mundësinë për shkëmbim të përvojave në Konferencën “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës”

Prishtinë, 18 maj 2022 – Në përmbyllje të Konferencës me titull “Ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës”, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, i cili iu bashkua konferencës në ditën e dytë, pas kthimit nga udhëtimi zyrtar në Pragë, në fjalën e tij përmbyllëse, mes tjerash theksoi nevojën e vazhdimit të kësaj tradite, që mbledh bashkë gjyqtarë nga Kosova dhe Shqipëria, të gjykatave supreme dhe atyre kushtetuese.

Kryetari Peci vlerësoi lartë temat që u trajtuan përgjatë dy ditëve në këtë Konferencë, duke potencuar se bashkëpunimi i mirëfilltë mes gjykatave në vendet përkatëse lidhur me këto çështje është një shtysë drejt garantimit të shtetit të së drejtës.

Ai vlerësoi rolin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si nikoqire e kësaj Konference dhe çmoi ndihmën që Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), po jep ndër vite për sistemin gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese, si gjykatë e veçantë. Po ashtu, kreu i Supremes shprehu mirënjohjen e tij për mundësinë që të shkëmbehen përvojat me kolegët nga Shqipëria dhe të përfitohet nga përvoja e ekspertëve gjermanë, siç ishte rasti në këtë Konferencë, ku përvojën nga Gjermania e solli Prof. Dr. Reinhard Gaier, ish gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese Federale të Gjermanisë.

Konferenca u organizua nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës me mbështetjen e Fondacionit Gjerman për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar (IRZ), dhe është në vazhdën e bashkëpunimit mes Gjykatës Supreme të Kosovës dhe gjykatës nikoqire.