Prishtinë, 09 shtator 2024 – Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, është mbajtur takimi i radhës me kryetarë të gjykatave themelore, asaj të Apelit, Komerciale, si dhe me pjesëmarrjen e kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, gjatë të cilit u diskutuan çështje me rëndësi për funksionimin e gjyqësorit që nga ato teknike deri te trajtimi i rasteve, performanca dhe llogaridhënia brenda sistemit.
Kreu i Gjykatës Supreme, Rexhepi nënvizoi domosdoshmërinë që secili gjyqtar të jap llogari për punën e tij, duke theksuar se askush nuk mund të thirret në diskrecion nëse vendosë në kundërshtim me ligjin dhe se “bindja e gjyqtarit gjatë vendosjes duhet të jetë brenda ligjit”. Ai sqaroi para të pranishmëve se nga gjyqtarët e Gjykatës Supreme po identifikohen rastet e vendosjes jashtë praktikës gjyqësore nga ana e gjyqtarëve të shkallëve më të ulëta, gjetje këto që do të diskutohen edhe në tryeza.
Në anën tjetër, kryesuesi i KGjK-së, Zogaj vuri në pah nevojën e takimeve më të shpeshta mes kryetarëve të gjykatave, në mënyrë që të diskutohen problemet, të koordinohen veprimet dhe të kërkohet përgjegjësi e llogaridhënie për secilin rast që nuk trajtohet konform dispozitave ligjore. Ai vlerësoi punën e madhe e të ndershme që bëhet brenda sistemit gjyqësor, duke theksuar se nuk do të lejojë që një pjesë e vogël individësh ta njëllosin atë, qoftë përmes vendosjes në kundërshtim me ligjin, qoftë duke zvarritur rastet apo duke neglizhuar detyrat dhe përgjegjësitë e tyre.
Të pranishmit diskutuan edhe për numrin e madh të lëndëve të pranuara në gjykata, të cilat rrjedhin nga Kontratat Kolektive, për vendosjen e të cilave, gjyqtarët mund t’ju referohen edhe mendimeve juridike dhe udhëzuesve të Gjykatës Supreme.
Pjesëmarrësit ranë dakord që të mbahen takime të rregullta me kryetarët e gjykatave themelore, asaj të Apelit dhe Gjykatës Komerciale si dhe takime me gjyqtarët e shkallëve më të ulëta gjyqësore lidhur me praktikën gjyqësore.