Sqarim i Gjykatës Supreme lidhur me deklaratën e babait të vajzës së mitur, rreth vendosjes për masën e paraburgimit ndaj të pandehurit për sulm seksual

Sqarim i Gjykatës Supreme lidhur me deklaratën e babait të vajzës së mitur, rreth vendosjes për masën e paraburgimit ndaj të pandehurit për sulm seksual

Prishtinë, 09.09.2022 – Për hir të informimit të drejtë dhe të saktë të opinionit publik, Gjykata Supreme e Kosovës, sqaron të vërtetën lidhur me rrëfimin e babait të 14 vjeçares, i cili në emisionin “Kallxo Përnime”, të transmetuar me datë 07.09.2022, në Rtv Dukagjini, deklaron se të pandehurin e dyshuar për sulm seksual e ka liruar nga paraburgimi gjyqtari i Gjykatës Supreme, Agim Maliqi.

Për këtë deklaratë, me datë 07.09.2022, Gjykata Supreme ka pranuar pyetje nga Kallxo.com, të cilave iu është përgjigjur brenda, më pak se dy orësh, përkatësisht në ora 14:58, duke sqaruar se:

Gjykata Supreme nuk e ka liruar nga paraburgimi te pandehurin, por e ka shpallur kërkesën e mbrojtësit të tij si jo lëndore, për shkak se s del nga shkresat e lëndës, të pandehurit, Gjykata e shkalles së parë, me aktvendimin Ppr.nr.997/2021 të datës 28.11.2021 ia ka caktuar paraburgimin për një muaj, i cili do të mund t’i zgjaste deri më datën 26.12.2021. Në procedurën ankimore, Gjykata e Apelit, me aktvendimin PN1DP.nr.1474/2021, të datës 08.12.2021, e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit.

Ndaj këtyre aktvendimeve ka paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, mbrojtësi i të pandehurit, e cila kërkesë në Gjykate Supreme është pranuar me 06.01.2022.

Duke pasur parasysh faktin se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është pranuar në këtë gjykatë, pasi që të pandehurit i ka skaduar afati i caktimit të paraburgimit, Gjykata Supreme ka vlerësuar se kërkesa nuk mund të jetë objekt shqyrtimi dhe si e tillë është jolëndore, sepse, pavarësisht shkeljeve të pretenduara në kërkesë, i pandehuri e ka mbajtur paraburgimin prej një muaji, siç i është caktuar. Ndërkaq, lidhur me vazhdimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, Gjykata Supreme nuk është kompetente”.

(Meqë përgjigja e Gjykatës Supreme nuk u transmetua në emision, me datë 08.09.2022, para orës 12:00, Gjykata dërgoi tek mediat një sqarim, i cili nuk arriti në adresë tek asnjë media.

Po ashtu, pas komunikimit me Kallxo.com, ata mohuan të kenë pranuar e-mailin e parë të Gjykatës Supreme me përgjigje. Pas disa testimeve të e-maileve zyrtare, doli në pah se kishte probleme teknike me serverët zyrtar, ku si rrjedhim e-mailet përcilleshin në adresat jo-zyrtare, por arritja e tyre ndodhte me disa orë vonesë. Ndërkohë që serveri funksiononte përbrenda. Si rrjedhim u përdorën aplikacione tjera komunikimi për të përcjellë tek Kallxo.com përgjigjen e Gjykatës Supreme dhe reagimin e gjyqtarit të apostrofuar në emision, Agim Maliqi).

Ndaj, për çështje korrektësie, sqarojmë edhe njëherë që për shkak të pengesave teknike të përshkruara më sipër, nuk u arrit që me kohë të njoftohet opinioni publik me të vërtetën rreth vendosjes për rastin nga Gjykata Supreme.