Raporti Vjetor i Birn për Monitorimin e Gjykatave, në fokus zbatimi i Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore

Raporti Vjetor i Birn për Monitorimin e Gjykatave, në fokus zbatimi i Udhëzuesit për Politikë Ndëshkimore

Prishtinë, 22 qershor 2022 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci ka marrë pjesë në konferencën e organizuar nga BIRN Kosova dhe Internews Kosova, në të cilën u prezantua Raporti Vjetor i Monitorimit të Gjykatave, për vitin 2021.

Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryetari Peci duke vlerësuar raportin e publikuar, i cili ka në fokus analizën e politikës ndëshkimore në rastet e korrupsionit, theksoi nevojën që në të ardhmen të vendosen modalitete të caktuara, në bazë të të cilave do të analizohet zbatimi i Udhëzuesit të Gjykatës Supreme, për Politikë Ndëshkimore, në mënyrë që organizatat që monitorojnë sistemin gjyqësor të mos dalin me gjetje të ndryshme për të njëjtat çështje.

Kreu i Supremes e vlerësoi raportin e Birn, duke precizuar se të dhënat e tilla janë ndihmesë për angazhimin e tij si kryesues i Komisionit për Politikë Ndëshkimore, në mënyrë që çdo gjetje të merret parasysh dhe të lehtësojë punën e këtij Komisioni.

Ndryshe, kryetari sqaroi para të pranishmëve se Udhëzuesi i Gjykatës Supreme për Politikë Ndëshkimore po merret shembull dhe po kërkohen udhëzime edhe nga vendet e rajonit.

Ai po ashtu bëri me dije se ka zhvilluar takime me gjyqtarë të degëve penale në të gjitha gjykatat themelore, prej të cilëve ka marrë zotime për zbatim të udhëzuesit, ndërkohë që nuk përjashtoi mundësinë, që në të ardhmen ky udhëzues të jetë obligativ.

Ndërkaq, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, mes tjerash, foli edhe për ndryshimet që po ndërmerren për të ngritur nivelin e vlerësimit të performancës së gjyqtarëve, pikë kjo e përfshirë në raportin e Birn. Ai sqaroi se janë duke diskutuar dhe së shpejti do të ketë rishikim të tërësishëm të vlerësimit të perfomancës së gjyqtarëve. Ideja, sipas tij, është që me ndryshimet e rregullores dhe udhëzuesit, të jenë dy kritere bazë për vlerësimin e performancës; statistikat dhe cilësia, duke theksuar se tek cilësia do të jetë fokusi kryesor.