Gjykata Supreme refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarit D.F., për marrje ryshfeti

Gjykata Supreme refuzon kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të të dënuarit D.F.,  për marrje ryshfeti

Prishtinë, 17 qershor 2022 – Kolegji i Gjykatës Supreme në çështjen penale ndaj të dënuarit D.F. për shkak të veprës penale marrja e ryshfetit e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të të dënuarit D.F., e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit.

Gjykata Themelore në Gjakovë me aktgjykimin PKR.nr.182/2020, të dënuarin D.F., e ka shpallur fajtor për veprën penale marrja e ryshfetit dhe e ka gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej (10)  dhjetë muaj, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 1.200 (njëmijedyqind) euro, të cilën shumë është i detyruar ta paguajë në afatin prej (1) një muaji nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, e nëse i dënuari nuk e paguan dënimin me gjobë i njëjti do të shndërrohet në dënim me burgim në kohëzgjatje prej 60 (gjashtëdhjetë) ditë, duke ia llogaritur 20 euro për një ditë burgim. Të dënuarit i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbim publik në kohëzgjatje prej (2) vjet, i cili dënim do të ekzekutohet pas mbajtjes së dënimit me burgim. Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtësit të dënuarit D.F.  dhe e ka vërtetuar aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë.

Nga shkresat e çështjes vërtetohet se i dënuari D.F. ishte inspektor në kuadër të ATK-së në regjionin e Prizrenit. Me datë 14.12.2018, i njëjti ka shkuar në punëtorinë e të dëmtuarit A.H., i cili duke u prezantuar si inspektor ka kërkuar dokumentacionin e firmës për kontroll, e në mungesë të kontabilistit ka shënuar në një fletë dokumentacionin e nevojshëm për kontrolle. Ndërsa me datë 18.12.2018, i dëmtuari A., së bashku me kontabilistin B.H. fillimisht kanë shkuar në ATK, janë takuar me inspektorin, të dënuarin D., i kanë prezantuar dokumentacionin e kërkuar, e më pastaj me sugjerimin e të dënuarit kanë dal në një lokal afër ATK-së. Aty i dënuari D. në cilësinë e inspektorit tatimor, pra si person zyrtar, me qëllim që të mos kontrolloi dokumentacionin financiar të ndërmarrjes “B.”, ka kërkuar dhe pranuar shumën prej 100 €, përmes ndërmjetësuesit B.H..

Gjykata Supreme me aktgjykimin Pml.nr.23/2022 konkludon se vlerësimet e gjykatës së shkallës së parë, të miratuara edhe nga gjykata e shkallës së dytë, se i dënuari D.F., ka kryer veprën penale marrja e ryshfetit, janë të drejta dhe në mënyrë të pa dyshimtë kanë vërtetuar se i dënuari ka ndërmarrë veprime inkriminuese, të cilat përbëjnë tiparet e veprës penale, për të cilat është shpallur fajtor i dënuari D., prandaj nuk qëndrojnë  pretendimet ankimore se është shkelur ligji penal në dëm të dënuarit sikur pretendon mbrojtësi i të dënuarit.

Vendimi  PML nr.23/2022 është i publikuar.