Politika ndëshkimore – në fokus të takimit mes kryetarit të Gjykatës Supreme dhe dekanit të Fakultetit Juridik

Politika ndëshkimore – në fokus të takimit mes kryetarit të Gjykatës Supreme dhe dekanit të Fakultetit Juridik

Prishtinë, 13 tetor 2021 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci ka takuar sot Dekanin e Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, Avni Puka, me të cilin kanë diskutuar mënyrat e bashkëpunimit mes dy institucioneve, me fokus në politikën ndëshkimore në vend.

Kryetari Peci ka sqaruar para dekanit Puka përmbajtjen e udhëzuesve për politikë ndëshkimore, të nxjerrë nga Gjykata Supreme, duke theksuar nevojën që këta udhëzues të bëhen pjesë e plan-programeve të Fakultetit Juridik. Kjo, sipas kryetarit do t’ua lehtësonte brezave të rinj të juristëve që të jenë paraprakisht të përgatitur nëse synojnë të bëhen pjesë e gjyqësorit. 

Në anën tjetër dekani Puka ka mirëpritur idetë e prezantuara për bashkëpunim duke theksuar se mësimi klinik është modeli që synojnë të ndjekin dhe në këtë drejtim bashkëpunimi me gjyqësorin është i një rëndësie të veçantë. Ai shprehu gatishmërinë që profesorët e Fakultetit Juridik të japin kontributin e tyre në zbatim të iniciativave për bashkëpunim mes palëve.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, John Hanley dhe Benina Kusari, të cilët shprehën gatishmërinë për të mbështetur iniciativat mes gjyqësorit dhe Fakultetit Juridik.