Komisioni për Politikë Ndëshkimore drejt finalizimit të Udhëzuesit për veprat penale të korrupsionit

Komisioni për Politikë Ndëshkimore drejt finalizimit të Udhëzuesit për veprat penale të korrupsionit

Prishtinë, 27 janar 2021 – Nën udhëheqjen e kryetarit të Gjykatës Supreme, Enver Peci, është mbajtur takimi virtual i Komisionit Konsultativ për Politikë Ndëshkimore.

Anëtarët e Komisionit janë njoftuar me Udhëzuesin e miratuar nga Kryeprokurori i Shtetit, për rolin e prokurorit në politikën ndëshkimore, ndërkaq ekspertja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Benina Kusari, ka prezantuar një përmbledhje të draft-Udhëzuesit për veprat penale të korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Anëtarët e Komisionit diskutuan rreth këtij draft-udhëzuesi, dhe u dakorduan që komentet plotësuese t’i përcjellin brenda javës.

Sipas kreut të Supremes, zbatimi i këtyre udhëzuesve, përveç që ua lehtëson gjyqtarëve vendosjen sipas ligjit, do të ndikojë në konsistencën në dënime, e cila ende lë për të dëshiruar.

Gjatë këtij takimi, kryesuesi Peci, ka prezantuar anëtaren e re të Komisionit, nga Gjykata Themelore e Prishtinës, gjyqtaren Albina Shabani.

Kryetari falënderoi Ambasadën Amerikane në Prishtinë dhe UNDP për mbështetjen e vazhdueshme për Komisionin Konsultativ për Politikë Ndëshkimore.