Praktika gjyqësore në Kosovë të harmonizohet edhe më tutje me vendimet e GjEDNJ-së

Praktika gjyqësore në Kosovë të harmonizohet edhe më tutje me vendimet e GjEDNJ-së

Me rastin e shtatë-dhjetëvjetorit të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka mbajtur një fjalë rasti në konferencën ndërkombëtare, online, të organizuar nga Zyra e Këshillit të Evropës në Kosovë dhe Ambasada Gjermane.

“Shumica e parimeve në lidhje me barazinë dhe të drejtat e njeriut të BE-së janë transferuar drejtpërsëdrejti edhe në legjislacionin e Kosovës. Kosova i ka përvetësuar në Kushtetutën e saj, konventat e të drejtave të njeriut, duke i vendosur ato mbi legjislacionin e brendshëm dhe duke i bërë ato drejtpërdrejtë të zbatueshme nga gjykatat dhe administratat publike. Përveç kësaj janë hartuar dhe miratuar edhe një sërë ligjesh dhe aktesh nënligjore për të mbrojtur dhe promovuar standardet e të drejtave të njeriut, duke mbuluar rastet e diskriminimit dhe barazisë gjinore, si dhe forcimin e organeve të të drejtave të njeriut dhe mandatin e Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës. Që nga viti 2015 Kosova ka adaptuar të ashtuquajturën “pako të ligjeve për të drejtat e njeriu” me qëllim të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut, duke mbuluar dispozitat kundër diskriminimit dhe barazisë gjinore”, u shpreh kryetari Peci.

Tutje, kreu i Supremes, vuri në pah se pjesë të procesit të rregullt ligjor, në kuptimin kushtetues, janë përfshirë edhe disa të drejta të tjera, “kryesisht të drejta që lidhen ngushtë me procesin penal, si liria dhe siguria e personit, parimi nulla poena sine lege, parimi ne bis in idem, e të tjerë. Duhet vënë në dukje gjithashtu, se në shqyrtimin e kërkesave individuale për pretendime lidhur me cenimin e procesit të rregullt ligjor, përgjithësisht në Kosovë, Gjykata Kushtetuese ka treguar dhe tregon vetëpërmbajtje, veçanërisht kur bëhet fjalë për respektimin e elementeve të këtij procesi në gjykimin që zhvillohet në gjykatat e rregullta, duke iu referuar gjithnjë praktikes së GJEDNJ, me qëllim të  vendosjes dhe respektimit të standardeve të domosdoshme që kërkon procesi i rregullt ligjor, gjithnjë në funksion të garantimit të të drejtave dhe lirive themelore të individit”.

E drejta e mbrojtjes, parimi i kontradiktoritetit dhe barazisë së armëve, cenimi i parimit “Gjykatë e paanshme”, etj., ishin disa prej çështjeve të trajtuara në fjalimin e kryetarit Peci. Ai sqaroi se lidhur me respektimin e vendimeve të GJEDNJ, meqenëse Kosova nuk është anëtare e Këshillit të Evropës, këtë kompetencë tani për tani, gjykatat e rregullta e respektojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e të cilës janë të obligueshme për gjitha institucionet, por edhe për gjykatat e rregullta.

“Edhe pse Kosova nuk është pjesë e Këshillit të Evropës, bazuar në vendimet dhe praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, gjykatat vendore, ato të rregullta, kanë më së tepërmi probleme në aplikimin e nenit 6 të Konventës, e cila konsiston në një gjykim të drejtë, sidomos në kohëzgjatjen e gjykimeve si dhe në aplikimin e nenit 8, e cila mbron të drejtat nga fusha e privatësisë”. Për këto dhe aplikimin e neneve tjera të Konventës Evropiane për të Drejta të Njeriut, tjera, kreu i Supremes, Peci, konsideroi se praktika gjyqësore në Kosovë është e nevojshme të harmonizohet edhe më tutje me vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejta të Njeriut. 

Konferenca “70 Vjet e Konventës Sonë”, u organizua nga Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë dhe Ambasada Gjermane, në shënim të 70 vjetorit të miratimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) si dhe fillimit të kryesisë gjermane të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.