Fokusi i sistemit të drejtësisë të jetë tek viktimat e krimit

Fokusi i sistemit të drejtësisë të jetë tek viktimat e krimit

Prishtinë, 2 tetor 2020 – Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka mbajtur një fjalë rasti në shënimin e “Javës për të Drejtat e Viktimave të Krimit”, e cila po mbahet nën patronatin e Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksander Lumezi.

Kryetari Peci ka bërë me dije për të pranishmit, se “Gjykata Supreme, në qershor të këtij viti, ka nxjerr Udhëzim lidhur me cilësimin juridik  dhe trajtimin e rasteve  të Dhunës në familje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Kjo pasi me hyrjen në fuqi të Kodit të ri, penal, në prill të vitit 2019, me të cilin kod në nenin 248, Dhuna në familje është paraparë si vepër e veçantë penale, për shkak të mënyrës së formulimit të dispozitave të këtij neni janë paraqitur edhe dilema të ndryshme rreth cilësimit juridik  të kësaj vepre. Pas analizimit me kujdes të dispozitave ligjore, këto dilema janë qartësuar përmes këtij udhëzimi”.

Kreu i Supremes çmoi punën e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave të Krimit, e cila funksionon në kuadër të Prokurorit të Shtetit, si dhe potencoi nevojën që sistemi i drejtësisë të ketë fokusin tek viktimat e krimit.