Kryetari i Supremes, priti në takim ministrin e Drejtësisë

Kryetari i Supremes, priti në takim ministrin e Drejtësisë

Prishtinë, 10 qershor 2020 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci ka pritur sot në takim, ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

Kryetari Peci e njoftoi ministrin Selimi me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë, përfshirë lëndët e shenjestruara për liberalizim të vizave. Sipas tij, tanimë, më e rëndësishme sesa të fokusohemi në numra, është e rëndësishme të fokusohemi në cilësi dhe përmbajtje të vendimeve gjyqësore, për çka po angazhohet maksimalisht Gjykata Supreme.  

Po ashtu, kreu i Supremes, e njoftoi ministrin me vështirësitë që po ballafaqohet sa i përket menaxhimit të punës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, si pasojë e numrit të madh të lëndëve karshi numrit të vogël të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës në këtë Dhomë.

Në anën tjetër, ministri Selimi, shprehu gatishmëri për të mbështetur Gjykatën Supreme, si në aspektin financiar po ashtu edhe në iniciativat për përmirësimin e funksionimit të përgjithshëm të sistemit të drejtësisë.