Roli i sistemit gjyqësor në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në Kosovë

Roli i sistemit gjyqësor në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në Kosovë

Prishtinë, 1 qershor 2018 – Me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka mbajtur një fjalim para studentëve të Kolegjit AAB, me temën “Roli i sistemit gjyqësor në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve në Kosovë”.

Me këtë rast, kryetari theksoi para të pranishmëve, se nga eksperienca si gjyqtar, rastet gjyqësore më të rëndat, i kujton ato me fëmijë, qofshin në cilësinë e dëshmitarit, viktimës apo të akuzuarit. Sipas tij, është e dhimbshme kur fëmijët duhet të përballen me ambientet e ‘ftohta’ të gjykatoreve, me frikën nga gjyqtari, prokurori.

Tutje, kreu i Gjykatës Supreme, njoftoi studentët me mekanizmat institucional që zbatohen në Kosovë për mbrojtjen e fëmijëve. “Rastet gjyqësore ku palë të përfshira janë fëmijët, trajtohen me prioritet. Po ashtu, rastet e dhunës në familje, ku janë të përfshirë fëmijët, trajtohen me prioritet. Me qëllim të sigurimit të proceseve gjyqësore – të drejta dhe në kohë – me reformimin e sistemit gjyqësor, janë krijuar departamentet për të mitur, në të gjitha gjykatat themelore dhe në atë të Apelit. Po ashtu, gjyqtarët e këtyre departamenteve, përfshirë edhe ata në Gjykatë Supreme, që shqyrtojnë këto raste, ndjekin trajnime të vazhdueshme nga fusha e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Në vazhdën e këtyre mekanizmave, përfshihet edhe mbrojtja e fëmijëve nga ekspozimi në media. Seancat me të mitur janë të mbyllura, ndërkaq aktgjykimet, ku palë janë të miturit nuk publikohen në ueb-faqet zyrtare; Gjykatat shqyrtojnë kërkesat për urdhër mbrojtje ose urdhër mbrojtje emergjente. Këto masa mbrojtëse shqiptohen me qëllim të parandalimit të dhunës në familje, për mbrojtjen e fëmijës, në këtë rast, që i është ekspozuar dhunës, duke mënjanuar rrethanat që ndikojnë apo mund të ndikojnë në kryerjen e veprave tjera penale”.

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_7586.JPG

Në fjalën e tij të rastit, kryetari Peci, potencoi faktin se të drejtat e fëmijëve janë të garantuara dhe të mbrojtura nga një numër i madh i instrumenteve ndërkombëtare dhe vendore, ndërsa promovimi i këtyre të drejtave dhe kujdesi ndaj fëmijëve, janë në krye të prioriteteve, të të gjitha organeve shtetërore.

Përveç Kushtetutës, e cila garanton mbrojtjen e këtyre të drejtave, kryetari sqaroi se bazën juridike e përbejnë edhe disa konventa ndërkombëtare, përfshirë Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, pastaj në legjislacionin vendorë, Ligjin për Familjen, Kodin Penal, Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe ligje tjera. Megjithatë, sipas tij, nuk ka vend për lëvdata e as merita, pasi, gjendja e përgjithshme e të drejtave të fëmijëve në Kosovë vazhdon të mbetet e rëndë dhe është larg standardeve të synuara.

“Ndaj, si familje në radhë të parë, si shtet në radhë të dytë dhe si shoqëri në radhë të tretë, duhet të mobilizohemi në mbrojtje të fëmijëve, pasi ky është angazhimi kryesor që na takon secilit prej nesh, “të angazhohemi në respektimin e të drejtave të tyre, në avancimin e këtyre të drejtave, në plotësimin e kushteve për jetë, siguri, mirëqenie e arsimim të fëmijëve tanë”.

Në këtë tryezë të organizuar nga kolegji AAB, panelist ishin edhe rektori i këtij kolegji, Lulzim Tafa, U.D. i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Naim Rexha, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës Imer Beka dhe përfaqësuesi i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala.