Kryetari Hasani në Konferencën Vjetore të Gjyqësorit kërkon të garantohet pavarësia e institucioneve gjyqësore

Kryetari Hasani në Konferencën Vjetore të Gjyqësorit kërkon të garantohet pavarësia e institucioneve gjyqësore

Konferenca e katër vjetore e Gjyqësorit në Kosovë ka mbledhur serish bashkë, krerët më të lartë të pushtetit të tretë duke ngritur mes tyre diskutime të rëndësishme

  http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/konferenca_gjyqesore_618293.JPG

Prishtinë, 29 nëntor 2014 – Konferenca e katër vjetore e Gjyqësorit në Kosovë ka mbledhur serish bashkë, krerët më të lartë të pushtetit të tretë duke ngritur mes tyre diskutime të rëndësishme.  Plani pesë vjeçar strategjik i gjyqësorit (2014-2019), dhe sfidat në zbatimin e kodit të ri të procedurës penale, kanë qenë tema debati në këtë konferencë të organizuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe me mbështetje të OSBE-së.

Në fjalën e tij hyrëse, kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, dr. sc. Fejzullah Hasani ka përmendur konkludimet e Raportit të fundit të Progresit të Komisionit Evropian, për fushën e drejtësisë, duke theksuar se çështjet e ngritura në raport, si; pavarësia institucionale, përgjegjshmëria, paanshmëria dhe efikasiteti i gjyqtarëve, integrimi i gjyqësorit si tërësi në gjithë territorin, nevoja për ngritjen e cilësisë dhe kualitetit në vendimmarrje, rekrutimi mbi bazën e meritave dhe kualifikimeve, mungesa e bashkëpunimit të mirëfilltë ndërinstitucional, akordimi i fondeve buxhetore, planifikimi buxhetor dhe niveli i burimeve njerëzore në këtë  sektor, kanë adresë gjyqësorin. Ndonëse kreu i Supremes shprehu mendimin se kjo përgjegjësi do të duhej të adresohej edhe në nivele tjera, ai kërkoi nga gjithë të pranishmit të reflektojnë bashkërisht, si shoqëri, si shtet, pa i hedhur fajin institucioneve individualisht, pasi, sipas tij, në sytë e qytetarëve, ne perceptohemi si tërësi. 

Ai, po ashtu, vuri në pah, para të pranishmëve se integrimi i vendit në BE, varet nga puna dhe përpjekjet tona për arritjen e standardeve të kërkuara, dhe se për këtë ka ende shumë rrugë  për  të  bërë. “Në këtë kuadër, edhe gjyqësori së bashku me aktorët e tjerë të sistemit të drejtësisë, vihet përballë detyrave dhe përgjegjësive të larta. Reformat e iniciuara, duhet zbatuar plotësisht me synimin që të garantojnë pavarësinë, efiçencën dhe llogaridhënien e institucioneve gjyqësore”. 

Ndryshe, gjatë konferencës paneli nga Bordi redaktues i Gjykatës Supreme, ka prezantuar Buletinin e Gjykatës Supreme, i cili u publikua në këtë konferencë dhe iu nda nga një kopje secilit pjesëmarrës.