Vlerësohet lartë ndihma ndërkombëtare në renovimin e gjykatave

Vlerësohet lartë ndihma ndërkombëtare në renovimin e gjykatave

Kryetari i Gjykatës Supreme, Dr. Sc. Fejzullah Hasani të enjten ka marrë pjesë në inaugurimin e degës së gjykatës në Klinë

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/Inaugurimi i deges se gjykates ne Kline.jpg

Prishtinë, 20 nëntor 2014 – Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Dr. Sc. Fejzullah Hasani të enjten ka marrë pjesë në inaugurimin e degës së gjykatës në Klinë, inaugurim ky që shënon edhe përmbylljen e ciklit të gjashtëmbëdhjetë gjykatave të rinovuara, me mbështetjen e USAID-it dhe Ambasadës Norvegjeze. Pas prerjes së shiritit, pjesëmarrësit në ceremoni vizituan zyrat e ndërtesës së rinovuar të gjykatës, ku edhe mbajtën fjalë rasti. 

Duke çmuar lartë ndihmën ndërkombëtare për rinovimin e objektit në fjalë, i pari i Gjykatës Supreme, pohoi para të pranishmëve se “transformimi i hapësirave në gjykatat e rinovuara të Republikës së Kosovës, të cilat janë vënë në shërbim të plotë të publikut, kurdo që ata do i drejtohen objekteve gjyqësore, kishte si qëllim kryesor të mundësonte krijimin e një ambienti krejtësisht të ri dhe funksional, i cili u ka munguar institucioneve të gjyqësorit, dhe tani ky qëllim është arritur falë investimeve nga miqtë tanë ndërkombëtar”. Duke folur për rëndësinë e kësaj ngjarjeje, z. Hasani ka precizuar se respektimi i qytetarit dhe trajtimi sa më dinjitoz i tij, në rastet kur ai i drejtohet zyrave të një gjykate, solli edhe nevojën e transformimit të këtyre ambienteve, të cilat, tashmë janë dëshmuar të jenë komode dhe funksionale, duke përmbushur qëllimin e ngritjes së tyre.  

Përmbylljen e ciklit të renovimeve të objekteve gjyqësore, kreu i Supremes e ka konsideruar si përmbushje të pritshmërive të qytetarëve dhe të profesionistëve, me qëllim mundësimin e komunikimit midis tyre dhe gjykatës.   

Fjalë rasti në këtë inaugurim kanë mbajtur edhe z. Enver Peci, Kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pastaj Chris Edwards, u.d. Drejtor i USAID dhe Katharina Ramberg, zv/ambasadore e Ambasadës Norvegjeze.

Në fund të ceremonisë, në emër të Gjykatës Supreme, kryetari Hasani, ka ndarë mirënjohje për miqtë ndërkombëtarë, kontribuues në renovimin e gjykatave.