Doracaku për provimin e jurisprudencës – udhëzues adekuat për kuadrot e reja

Doracaku për provimin e jurisprudencës – udhëzues adekuat për kuadrot e reja

Me rastin e Promovimit të Doracakut për përgatitjen e provimit të jurisprudencës, në mbështetje nga UNDP, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, njëherësh kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, ka mbajtur një fjalë rasti ku mes tjerash e vlerësoi lartë botimin e ri të këtij doracaku

http://supreme.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/sites/12/2019/03/IMG_3343_339409.JPG

Prishtinë, 16 shtator 2015 – Me rastin e Promovimit të Doracakut për përgatitjen e provimit të jurisprudencës, në mbështetje nga UNDP, kryetari i Gjykatës Supreme, Prof. Dr. Fejzullah Hasani, njëherësh kryetar i Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, ka mbajtur një fjalë rasti ku mes tjerash e vlerësoi lartë botimin e ri të këtij doracaku. “Ky botim, pa dyshim, është rezultat i një bashkëpunimi të mirëfilltë dhe të vazhdueshëm mes komunitetit ligjor në Kosovë dhe mbështetjes së miqve tanë ndërkombëtar.  Shfrytëzoj rastin, t’i falënderoj të gjithë ata që ndihmuan në realizimin e këtij publikimi, me theks të veçantë, ministrin e Drejtësisë, z .Kuqi për iniciativën dhe angazhimin për një publikim që përkon me zhvillimet e reja ligjore në vend, duke mundësuar një udhëzues sa më të qartë, për të gjithë kandidatët që pretendojnë t’i nënshtrohen dhënies së provimit dhe jo vetëm atyre; bashkëpunëtorëve, anëtarëve të komisionit për kontributin e drejtpërdrejtë në hartimin e doracakut, si dhe Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim – UNDP-së, për mbështetjen e vazhdueshme, në përkrahje të forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimin e edukimit ligjor në vend”. 

Kreu i Supremes theksoi faktin se ky botim synon të jetë një mjet lehtësues për përgatitjen e kuadrove të reja të cilat pretendojnë të merren me zbatimin dhe interpretimin e ligjit. 

“E gjithë puna e jonë, e ekspertëve, e institucioneve dhe partnerëve është të krijojmë kushte sa më të mira për ndërtimin e kuadrove profesionale, kuadro që do jenë të  dobishëm për gjyqtarët, në mënyrë që t’i ndihmojnë ata të vendosin sipas parimeve të drejtësisë; të dobishëm për klientin për ta ndihmuar në mbrojtjen e të drejtave dhe paraqitjen sa më mirë të argumenteve të tij, të shkruajnë qartë, shkurt dhe saktë, dhe mbi të gjitha, kuadro që do bëhen të dobishëm për shoqërinë dhe shtetin në rrugëtimin e vet për një vend ku sundon rendi dhe ligji, ku të gjithë qytetarët e saj gëzojnë të drejta pa dallim”, nënvizoi kryetari.

Ai iu bëri thirrje të gjithë pretendentëve për provim, sidomos atyre të rinj që të përdorin këtë doracak, duke i këshilluar që të mundohen të mësojnë dhe të rriten profesionalisht, “por mbi të gjitha, mos harroni kurrë parimet bazë të ushtrimit të profesionit, atë të ndershmërisë, pavarësisë, besnikërisë, dinjitetit dhe përkushtimit”. 

Prof.Dr. Hasani beson se ky publikim do i ndihmojë lexuesit të jenë në gjendje të nxjerrin më të mirën nga vetja dhe të kontribojnë pozitivisht, jo vetëm në sistemin e drejtësisë, por edhe për gjithë shoqërinë.